Më 9 mars të vitit 1997, kur pothuaj i gjithë vendi kishte dalë jashtë kontrollit të shtetit për shkak të revoltave popullore që nisën pas rrëzimit të skemave mashtruese rentiere, partitë politike shqiptare u bënë bashkë duke nënshkruar një marrëveshje për shpëtimin e Shqipërisë.
Kasta e re politike, e ardhur në pushtet me fitoren e Partisë Demokratike, në mars 1992, dominuar nga Presidenti Sali Berisha, edhe për shkak të mungesës së përvojës, edhe për shkak të mosnjohjes së rregullave të funksionimit të një shteti demokratik edhe për shkak të megalomanisë, praktikisht sapo e kishte hedhur në erë atë shtëpizën e brishtë, që shqiptarët ndërtuan pas rrëzimit të komunizmit.
Gjithçka nisi me lejimin dhe mbrojtjen e skemave mashtruese rentiere, të njohura si firma piramidale, të cilat mbinë me shumicë qysh nga viti 1994.
Skema ishte botërisht e njohur dhe e studiuar, qysh në vitin 1920, kur një italo-amerikan, i quajtur Karlo Ponzi, mashtroi, të njohur e të panjohur, me anë të një skeme të thjeshtë: përqindjet e investitorëve më të hershëm, që ishin më të larta se të bankave, nisi ti paguante me të holla të mbledhura nga investitorë më të rinj.
Kjo ishte edhe skema e të gjitha shoqërive rentiere shqiptare që nisën të mpinin mendjen e një shoqërie të tërë.
Të joshur nga shifrat e larta të përqindjeve mujore, shqiptarët u besuan këtyre skemave të gjitha kursimet e tyre dhe të fëmijëve të tyre në emigracion.
Madje, me mendimin se kapitali financiar ishte shumë më i leverdisshëm, çmenduria shkoi deri te shitja e banesave, bizneseve, lopëve, deleve, e të tjera.
Për fat të keq, çmenduria popullore u mbështet edhe nga çmenduria politike.
Presidenti Sali Berisha në asnjë rast nuk u kushtoi rëndësi paralajmërimeve nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, apo qoftë edhe nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Për më keq akoma, ai u shfaq para shqiptarëve duke garantuar se paratë e tyre - ato që mbylleshin në sportelet e skemave rentiere - ishin nga më të pastrat në botë.
Në fakt, Presidenti e kishte hallin te zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale, që u mbajtën në vitin 1996. Qëllimi ishte vetëm një: Fitorja e zgjedhjeve edhe përmes shitjes së suksesit të skemave rentiere si garanci e suksesit të demokracisë shqiptare.
Skema e parë rentiere, “Sudja”, falimentoi më 19 nëntor 1996, vetëm një muaj pas përfundimit të zgjedhjeve lokale.
Më tej, në janar 1997, skemat rentiere nisën të rrëzoheshin një e nga një. Shqiptarët shokohen. Ngjarjet përjetohen me të njëjtin tmerr që mund të shkaktonte vetëm ardhja e fundit të botës.
Për pasojë, në gjithë vendin shpërthejnë protestat.
Në datën 25 janar 1997, rreth 5 mijë protestues lushnjarë sulmojnë policinë dhe forcat speciale të saj, duke i vënë përpara me një breshër gurësh.
Një muaj më pas shteti nis të shembet.
Më 28 shkurt 1997 në Vlorë sulmohen dhe bastisen e depove të armatimit të ushtrisë. Populli armatoset dhe qytetet e jugut nisin të bien, një pas një, në duar të rebelëve që kërkonin rrëzimin dhe ndëshkimin e Presidentit Sali Berisha dhe kastës së tij.
Situata detyron Presidentin të rrëzojë Qeverinë dhe të shpallë, në 2 mars 1997, gjendjen e jashtëzakonshme.
Një ditë më pas, më 3 mars, Sali Berisha rizgjidhet President i Republikës, me votat e deputetëve të Partisë Demokratike – një ngjarje që shkakton një zemërim të papërmbajtur popullor, sidomos në Vlorë dhe jug të vendit.
Duke qenë se lideri i opozitës, Fatos Nano ishte në burg, analistë të ndryshëm mendojnë se krerët e Partisë Socialiste, nuk u shfaqen në lartësinë e duhur për të shfrytëzuar situatën, duke i dhënë mundësi Presidentit Berisha që të luante si violinë e parë.
Kështu, me synim për të arritur një marrëveshje politike, që të gëzonte mbështetje popullore, Presidenti Sali Berisha organizon, më 9 mars 1997, një takim me përfaqësues të 10 partive kryesore shqiptare...
#mcntv #mcn #datastories #ferdinanddervishi #histori #ngjarjethistorike #Shqipëria1997 #9Mars1997 #Kriza1997 #Revolta1997 #FirmatPiramidale #SkematPiramidale #HistoriaShqipërisë #SaliBerisha #FatosNano #PolitikaShqiptare #TranzicioniShqiptar #DemokraciaShqiptare #MarrëveshjaPolitike #NgjarjeHistorike #MCNTV
Информация по комментариям в разработке