“Më vjen turp për një histori 20-vjeçare ku sa herë që ka fushatë premtohet ujë 24 orë. Pas 20 vitesh, ende nuk ka ujë. Nëse do të kisha qenë në pushtet për tetë vjet dhe nuk do ta kisha zgjidhur këtë problem, do të kisha ikur.”
Këto janë fjalët e Kryeministrit Edi Rama, të thëna në vitin 2013, në opozitë.
Sot jemi në vitin 2025.
Kanë kaluar 12 vite qeverisje të pandërprerë, dhe qyteti i Fierit vazhdon të vuajë nga i njëjti problem i turpshëm: mungesa e ujit të pijshëm, ndërprerje të vazhdueshme dhe një shërbim që degradohet çdo vit.
Nëse atëherë, në vitin 2013, kjo ishte “turp kombëtar”,
sot, pas kaq vitesh pushtet qendror e vendor…
kjo nuk është vetëm turp, por një dështim historik i qeverisjes së Fierit.
---
1. Mungesa e ujit – problem kronik, jo një katastrofë momentale
Sot nuk jemi mbledhur këtu vetëm për përmbytjet e Vjosës.
Problemi i ujit në Fier është i përditshëm, i vazhdueshëm dhe i përsëritur prej vitesh.
Ujësjellësi i Fierit na ndërpret ujin pa paralajmërim, shpesh pa asnjë shpjegim.
Kur njofton, e bën vetëm në Facebook, që shumica e qytetarëve nuk e ndjekin.
Ka ditë që uji mungon për orë të tëra, madje disa herë brenda të njëjtës ditë.
Pra, nuk është vetëm problem natyror.
Është mosmenaxhim, është papërgjegjësi, është mungesë pune dhe mungesë investimesh reale.
---
2. Nuk mungon vetëm uji — mungon edhe energjia elektrike
Thuajse çdo ditë Fierit i ndërpritet energjia elektrike pa asnjë paralajmërim.
Ose nuk ka ujë, ose nuk ka drita. Shpesh nuk ka as ujë, as drita.
Bizneset dëmtohen. Pajisjet shtëpiake digjen. Frigoriferët me ushqime prishen.
Familjet mbeten në errësirë. Dhe askush nuk mban përgjegjësi.
Asnjë kompensim.
Asnjë plan.
Asnjë transparencë.
Sikur jemi një qytet pa institucion, pa përgjegjësi, pa drejtim.
---
3. Pyetje publike për Bashkinë Fier
Ku janë studimet e mirëfillta për zgjidhje konkrete?
Ku janë afatet kohore që i merrni përsipër për të realizuar veprat që ju vetë i premtoni?
Nuk mund të mbyllet çdo problem me një “njoftim për ndërprerje”.
Duhet dhënë një afat se kur do të marrë fund kjo situatë.
Pse nuk shfrytëzohen profesionistët, inxhinierët, urbanistët, ekspertët që ka ky qytet — përfshirë edhe specialistët me përvojë, madje edhe ata që janë në pension, të cilët e njohin rrjetin më mirë se kushdo?
Pse vendosen njerëz partie, dhe jo njerëz profesioni?
Qyteti nuk është zyrë punësimi për militantë.
Qyteti është përgjegjësi.
Qyteti është detyrim.
Qyteti është jeta jonë e përditshme.
---
4. Ne duam zgjidhje, ne duam përgjegjësi — tani!
Ne nuk jemi këtu të kërkojmë favore.
Ne jemi këtu të kërkojmë të drejtat tona themelore:
— Furnizim të qëndrueshëm me ujë.
— Njoftime transparente dhe me kohë të arsyeshme.
— Investime reale, jo vetëm në letër.
— Llogaridhënie për çdo ndërprerje pa arsye.
Dhe largim nga detyra për këdo që nuk e përmbush atë që ka marrë përsipër — përfshirë drejtuesit e Bashkisë, të cilët kanë detyrimin ligjor të kontrollojnë, të kërkojnë transparencë dhe të mbajnë përgjegjësi për kontraktorët që punësojnë.
Ne duam ujë sot.
Ne duam drita sot.
Ne duam një administrim që punon për qytetarët, jo për partinë në pushtet.
#lëvizjabashkë #elisbaba #fieri #uje #proteste
Информация по комментариям в разработке