Është ky momenti kur televizioni shtetëror iranian njoftoi vdekjen e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, në moshën 86-vjeçare, herët këtë të diel.
"Udhëheqësi dhe Imami i Muslimanëve, Shkëlqesia e Tij Ajatollah Seyyed Ali Hosseini Khamenei, në rrugën e ngritjes së lartësisë së shenjtë të Republikës Islamike të Iranit, piu gllënjkën e ëmbël dhe të pastër të martirizimit dhe iu bashkua Mbretërisë Supreme Qiellore".
Lajmi u konfirmua nga Teherani disa orë pasi Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi eliminimin e tij përmes sulmeve ajrore izraelito-amerikane mëngjesin e së shtunës në kompleksin në qendër të kryeqytetit. Këto janë pamjet e sulmeve ajrore mbi rezidencat qeveritare të Iranit ku u ekzekutua lideri suprem Khamenei.
Ndërkohë, mediat iraniane raportuan se sulmet e nisura nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të shtunën vranë gjithashtu vajzën, dhëndrin dhe mbesën e Khameneit.
Qeveria e Iranit lëshoi një deklaratë ku tha se autorët e vrasjes së liderit suprem do të mbahen përgjegjës duke paguar një çmim shumë të rëndë. Ajo shpalli gjithashtu 40 ditë zie kombëtare dhe pezullim të plotë të institucioneve në vend për një periudhë 7-ditore.
“Shumë qartë dhe shprehimisht, iu them Trumpit dhe Netanyahut, këtyre dy kriminelëve të ndyrë dhe të gjithë agjentëve të tyre: ju e keni kaluar vijën tonë të kuqe dhe duhet ta paguani çmimin për këtë. Ne do t’ju japim goditje kaq të tmerrshme saqë ju vetë do të detyroheni të luteni”, tha Mohammad Baqer Qalibaf, kryetari i parlamentit të Iranit.
Më tej, u tha se populli iranian do të qëndrojë i bashkuar për të kapërcyer këtë kohë të vështirë.
Një numër i lartë udhëheqësish kryesorë të ushtrisë, sigurisë dhe inteligjencës iraniane janë konfirmuar të vdekur pas sulmeve. Aty përfshihen shefi i shtabit të forcave të armatosura të vendit, Abdolrahim Mousavi, komandanti i Gardës Revolucionare, Mohammad Pakpour dhe të tjerë.
Numri në total i zyrtarëve të vrarë është mbi 40, ndërsa sipas mediave iraniane edhe vajza, dhëndri dhe nipi i Khameneit janë eliminuar nga sulmet.
Pas vdekjes së Khameneit, deri në zgjedhjet e pasardhësit të tij, vendi do të udhëhiqet nga Këshilli i Përkohshëm me tre anëtarë. Pjesë e tij janë presidenti aktual, kreu i gjyqësorit dhe Alireza Arafi, i cili u bashkua ditën e sotme. Arafi, një politikan i lartë, i afërt me Khamenein, po shihet gjithashtu si një pasardhës i mundshëm.
Presidenti Masoud Pezeshkian, kreu i gjyqësorit dhe një jurist i Këshillit të Gardianëve do të marrin përkohësisht detyrat e udhëheqjes deri në zgjedhjen e udhëheqësit të ri. Mes emrave të përfolur si pasues të mundshëm është Mojtaba Khamenei, djali i liderit Khamenei, i cili konsiderohet figurë me ndikim në qarqet e brendshme të pushtetit.
Ajatollah Ali Khamenei ishte lideri shpirtëror i Iranit dhe autoriteti më i lartë i vendit që drejtoi pothuajse për katër dekada me një kontroll të plotë që shtrihej në të gjitha forcat e armatosura, gjyqësorin dhe strukturën politike. Përdorimi i forcës kundër popullit të tij, burgosja e figurave opozitare brenda vetë udhëheqësisë, si dhe rezistenca e madhe ndaj ndikimit të jashtëm, veçanërisht atij të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, formësuan trashëgiminë e tij si një figurë e ashpër dhe e pakompromis, që e çoi vendin drejt izolimit ndërkombëtar.
Tv Klan
SUBSCRIBE to “RTV KLAN” on YouTube for more videos!
Email: info@tvklan.al
Për më shumë informacione vizitoni faqen tonë web https://tvklan.al/
Videot e fundit nga Tv Klan i gjeni në faqen https://tvklan.al/video/
Follow Tvklan on Facebook: / tvklan
Follow Tvklan on Instagram: / rtvklan
Programet e Tv Klan mund t’i ndiqni edhe në faqen https://tvklan.al/programe/
Информация по комментариям в разработке