Leximet e ditës
Leximi i parë
Lexim prej librit të Zanafillës 12, 1-4a
Zoti i tha Abrahamit: “Dil prej vendit tënd dhe prej vëllazërisë sate, e prej shtëpisë së babait tënd në drejtim të një vendi që do të ta tregoj. Prej teje do të bëj një popull të madh dhe do të të bekoj. Do ta bëj të madh emrin tënd. Ti do të jesh bekim. Do t’i bekoj ata që do të bekojnë ty, do t’i mallkoj ata që do të mallkojnë ty. Në ty do të bekohen të gjitha fiset e tokës”!
Atëherë Abrahami u nis sikurse i kishte urdhëruar Zoti.
Fjala e Zotit
Psalmi 33 (32)
Ref. Na e jep, o Zot, mëshirën tënde sepse në ty shpresojmë.
E drejtë është fjala e Zotit
e të gjitha veprat e tija me besë.
E do drejtësinë e gjyqin,
plot është toka me mirësinë e Zotit.
Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
për t’i shpëtuar nga vdekja
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.
Shpirti ynë shpreson në Zotin,
ai është ndihma dhe mburoja jonë.
Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,
sikurse ne shpresojmë në ty.
Leximi i dytë
Lexim prej letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut 1, 8b-10
Fort i dashur, hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit, i cili na shëlboi dhe na grishi me thirrje të shenjtë – jo në saje të veprave tona, por në saje të vullnetit të vet dhe të hirit, që na u dha qysh prej amshimit në Jezu Krishtin dhe u dëftua tani me Ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit. Ky e asgjësoi vdekjen dhe bëri të shndrisë jeta dhe pavdekësia me anë të Ungjillit.
Fjala e Zotit
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Prej resë që shkëlqente u dëgjua një zë: “Ky është Biri im. Atë dëgjoni!”
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut 17, 1-9
Në atë kohë, Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllain e tij e i çoi në vetmi në një mal të lartë. Atëherë u shndërrua ndër sy të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita. Dhe ja, atyre iu dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të.
Atëherë Pjetri i tha Jezusit: “Zotëri, është mirë për ne të rrimë këtu: nëse do ti, po ngre këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”
E ende pa e kryer fjalën, ja, i mbuloi një re e shndritshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjojeni!” Nxënësit, posa e dëgjuan këtë zë, ranë me fytyrë për dhe e u trembën së tepërmi. Jezusi u afrua, i preku e tha: “Çohuni e mos u trembni!” Ata kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm.
Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi: “Mos i tregoni askujt çka patë, para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.”
Fjala e Zotit
Информация по комментариям в разработке