Dita Ndërkombëtare e Muzeve

Описание к видео Dita Ndërkombëtare e Muzeve

Në Muzeun e Forcave të Armatosura është zhvilluar sot një veprimtari me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, caktuar si e tillë me Rezolutën nr.12 të Organizatës Ndërkombëtare të Muzeve (ICOM). Ishin të pranishëm: zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, drejtori i Qendrës së Kulturës, Medias, Botimeve të Mbrojtjes, Muzeut dhe Shtëpive të Pushimit (QKMBMMSHP), znj. Mirela Roshi, studiues, veteranë, ish - ushtarakë dhe nxënës të shkollave 9 - vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit etj.

Fjalën e hapjes e mbajti znj. Mirela Roshi, drejtore e QKMBMMSHP, e cila pasi falënderoi të gjithë të pranishmit në këtë veprimtari, u ndal në misionin e Muzeut të Forcave të Armatosura, vlerat dhe rëndësinë e tij.

Në emër të ushtarakëve në lirim dhe studiuesve ushtarakë, që kanë dhënë kontribut të çmuar në radhët e Forcave të Armatosura, foli ish - pedagogu i Akademisë së Mbrojtjes, Xhemil Çela.

Aktivitetin e përshëndeti zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi. Në fjalën e tij ai theksoi se, respekti për historinë është një çështje kulture dhe muzetë janë shprehje e parametrave të zhvillimit historik të çdo shoqërie. Muzetë, si vende për ekspozimin e veprave me vlerë të trashëgimisë kulturore, krijojnë mundësi për të ruajtur kujtesën historike, si dhe prezantojnë e interpretojnë historinë. "Në morinë e muzeve, - nënvizoi z. Koçi, - vend të veçantë zënë edhe muzetë ushtarakë, që në vende të ndryshme kanë forma e metodologji të ndryshme, por qëllimi i tyre është pothuaj i njëjtë: edukimi atdhetar i brezave". Më tej ai theksoi se, Muzeu i FA është një institucion i domosdoshëm për të shprehur identitetin historik dhe zhvillimin e FA të Shqipërisë. Ai është ngritur mbi bazën e një përvoje dhe eksperience të të gjithë muzeve të tjerë kombëtarë dhe të huaja. Në memorien e tij ruan dhe nderon të gjithë ata që luftuan për identitetin dhe mbijetesën e kombit shqiptar në shekuj. Lufta dhe përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi e kanë zanafillën që në kohët më të hershme të pararendëseve tanë nga Iliria dhe deri në ditët e sotme, është shprehur zëvendësministri Petro Koçi.
Më pas, zëvendësministri Petro Koçi dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Jeronim Bazo, i dorëzuan "Certifikatë Mirënjohje", studiuesit dhe poetit ish - ushtarak Fluturak Gërmenji dhe kolonel (R) Guri Pashai për kontributin e dhënë për pasurimin e muzeut me vlera dokumentare.

Në mbyllje të kësaj ceremonie, zëvendësministri Koçi, gjeneralmajor Bazo dhe të gjithë pjesëmarrësit vizituan pavijonet e Muzeut të Forcave të Armatosura të pasuruar me eksponate të rinj.

Muzeu i FA është inauguruar në 4 dhjetor 2012 dhe në mjediset e tij gjenden të ekspozuar 1500 objekte autentike që lidhen drejtpërsëdrejti me historinë, trashëgiminë dhe identitetin e FA të Shqipërisë. Kjo ka zgjuar interesin e vizitorëve që në këtë periudhë trevjeçare ka arritur numrin e 12000 vizitorëve vendas e 3000 të huaj, mes të cilëve shefa të Shtabeve të Përgjithshëm të ushtrive të ndryshme anëtare të NATO, gjeneralë amerikanë, delegacione ushtarake të NATO, si dhe të vendeve partnere.

Комментарии

Информация по комментариям в разработке