Nis ardhja e mjeteve të blinduara nga SHBA

Описание к видео Nis ardhja e mjeteve të blinduara nga SHBA

Në mjediset e Forcës Tokësore në Zall Herr u zhvillua ceremonia e marrjes në dorëzim të 6 mjeteve të para të blinduara të dhuruara nga qeveria e SHBA-ve me vlerë 300 mijë dollarë.

Pjesë e paketës së mjeteve të blinduara janë 248 mjete me vlerë 12 mln dollarë, ku Shqipëria do të paguajë vetëm shpenzimet për transportin dhe mirëmbajtjen e këtyre mjeteve.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku si dhe ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, z. Donald Lu.

Ministrja Kodheli u shprehu mirënjohjen dhe falënderimet ndaj qeverive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat ajo i cilësoi si “aleat dhe mik strategjik.”

Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-së, znj. Kodheli theksoi se historia e marrëdhënieve tona është e shtrirë përgjatë gjithë rrugëtimit tonë të reformimit të Forcave të Armatosura. “Nuk mund të largohem pa nënvizuar me forcë faktin se këto marrëdhënie kanë hyrë në një fazë të re dhe më cilësore, si dhe njëkohësisht të shpreh mirënjohjen time personale për burrat dhe gratë në uniformë për këtë ndihmë të pakursyer”,- theksoi ajo.

Ministrja Kodheli vlerësoi rolin e rritur të batalionit të dytë të këmbësorisë në angazhimet në kuadër të NATO-s dhe se këto mjete janë më të domosdoshme se kurrë. “Në rritjen e standardeve të FA, këto mjete janë pjesë e paketës së mjeteve të blinduara, një projekt të cilin ne e nisëm së bashku që në vitin 2015. Kjo ndihmë vjen absolutisht në kohën e duhur, në momentin kur Batalioni i Dytë i Këmbësorisë po rrit ndjeshëm angazhimet në kuadër të Aleancës dhe kjo do të ndikojë cilësisht në përmbushjen e detyrimeve dhe objektivave e kapaciteteve.”

Nga ana e tij, ambasadori amerikan Donald Lu theksoi rolin e Shqipërisë si një aleat i veçantë i Shteteve të Bashkuara në kontinentin tonë dhe përmendi avantazhet që përfaqësojnë këto mjete. “Ju (Shqipëria) jeni vetëm një nga 4 aleatët e NATO-s në Europë që merrni këto makina të avancuara. Qeveria e SHBA është e përkushtuar të forcojë aftësitë tuaja si aleat i NATO-s. Kjo aftësi e re do të jetë një hap vendimtar që FA të Shqipërisë të arrijnë objektivin parësor të NATO-s që të kenë një grup këmbësorie të modernizuar plotësisht operacional dhe autonom deri në 2019.”-tha ambasadori Lu, i cili përgëzoi shefin e ri të Shtabit të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku si dhe falënderoi ministren Kodheli “për vitet e saj të shërbimit të përkushtuar në mbështetje të FARSH”.

Automjetet e blinduara për transport janë të markës HMMËV 1114 dhe kanë shpejtësi maksimale 125 km/h, kapacitet mbajtës 1+3+1 pushkatar, peshojnë 6 ton si dhe kanë autonomi lëvizjeje 443 km. Mjetet e blinduara janë të pajisura me sistem të mbajtjes së armëve mitraloz të rëndë dhe mitraloz të lehtë si dhe granatahedhës.

Комментарии

Информация по комментариям в разработке