Mes qindra pelegrinëve, presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka uruar shqiptarët për festën e Kulmakut, nga Mali i lartë i Tomorrit.
Në fjalën e tij, Nishani tha se diktatura komuniste u përpoq ta shkëpuste shqiptarin nga besimi i zotit, “por sot jemi në majën e lartë të Tomorrit për tu lutur për shqipërinë dhe shqiptarët”.
Presidenti e mbylli fjalën e tij, duke uruar shëndet për shqiptarët dhe të ardhme të begatë për vendin.
“Fati i shkruar na ka vënë krahë për krahë apo përballë njëri tjetrin me ide , bindje fetare, apo politike të ndryshme, por duke qënë se kërkohen sakrifica të përbashkta dhe duke patur parasysh se të gjithë aspirojmë një jetë më të mirë në paqe, kam bindjen dhe optimizmin se do tua dalim mbanë edhe sfidave të integrimit për ta konsoliduar dhe lartësuar imazhin e shqipërisë në të gjithë botën. Diktatura komuniste u përpoq me çdo mjet ta shkëpuste shqiptarin nga besimi i zotit, duke vrarë, burgosur, surgjunosur, klerikët, duke shkatërruar objektet e kultit, përpjekje që arritën në vitin famëkeq 1967, kur feja u ndalua me ligj dhe Shqipëria u shpall i vetmi vend ateist në botë. Por ja ku jemi sot, në Teqenë e Kulmakut, në majën e shenjtë të malit hije rëndë të Tomorrit, që ofron edhe një frymëzim të pakrahasueshëm shpirtëror, artistik dhe natyror. Gjatë këtyre 5 ditëve të mirësisë bektashjane, kur faleni dhe bëheni kurban për shëndetin tuaj, për familjet, për mbarësinë dhe urimet më të mira për vetën, jam i sigurt që lutjet shkojnë edhe Shqipërinë dhe shqiptarët, për të ardhmen tonë të begatë dhe krenare. Urimi i m i vetëm sot, urimi që më del nga thellësia e zemrës, krahas mirënjohjes është edhe për një festë më të mirë: Paçi përherë ditë të tilla, të hareshme, plot shëndet dhe harmoni në këtë truall të bekuar shqiptar. Zoti e bekoftë vendit tonë, zoti i bekoftë shqiptarët dhe kombin. Gëzuar, mbarësi në familjet tona! Gëzuar”, tha ai!
Për më shumë klikoni në http://www.oranews.tv/
Информация по комментариям в разработке