Shkruan: Ismet AZIZI, Gjilan.
Kur Pazari i Ri dhe Senica ishin të kërcënuara me shfarosje nga çetnikëve serbë, Mulla Jakup Efendiu organizoi menjëherë rozhajasit dhe ata të Bishevës dhe, gjithashtu, e informoi mikun e tij në Kosovë, Shaban Polluzhën, duke kërkuar prej tij që menjëherë t’u vijë në ndihmë banorëve të Pazarit, sepse ishin të rrezikuar nga çetnikët. Këta dy njerëz, përveç Aqif Blytës, Xhemail Koniçanit e vëllezërve Dresheviq (Dreshaj), luajtën rol kyç në mbrojtjen e Novi Pazarit nga çetnikët
Lufta për mbrojtjen e Sanxhakut lindor në plan të parë kishte karakter humanitar e njerëzor. Por, gjithashtu vullnetarët të prirë nga Shaban Polluzha, i cili rreth vetës kishte komandantë të rryer, përkrah tij kishte edhe prijësit fetarë Mulla Jakup Kombin, Mulla Zekë Bërdynën, Ilaz Spahiun – hoxhën e Brojës, mandej Sak Fazlinë bajraktarin e Rugovës, të cilët me këtë veprim mbrojtën edhe shqiptarët që jetojnë në këto anë, përkatësisht luftuan për ta mbrojtur pikën më veriore të trojeve shqiptare.
Lufta e forcave vullnetare shqiptare, nën komandën e Shaban Polluzhës, Bislim Bajgorës, Pajazit Boletinit etj., kishte arritur deri në pjesët më veriore të territorit të Sanxhakut të banuar me shqiptarë e boshnjakë. Shqiptarët trima, me të arritur në Duga Polanë, fshati më verior i banuar me popullsi myslimane – shqiptare – njësive, gjegjësisht forcave ushtarake dhe banorëve, atyre iu drejtua me një fjalim të shkurtër po me një autoritet të pakontestueshëm, komandanti i tyre legjendar, Shaban Polluzha, i cili u tha: “Të nderuar vëllezër, kemi ardhur këtu për të kryer një mision të shenjtë – jemi këtu për t’i mbrojtur familjet e rrezikuara nga çetnikët e tërbuar. Ju, siç jeni në dijeni, kriminelët serbë kanë vrarë e masakruar popullatën e pafajshme të kësaj ane. Ne, kur kemi pasur mundësi, gjithnjë kemi ndihmuar popujt e rrezikuar. Prandaj, në këtë kontekst, duhet kuptuar këtë mision, i cili në plan të parë ka karakter humanitar e njerëzor. Por, me këtë mbrojmë edhe një pjesë të shqiptarëve që jetojnë në këto anë. Uroj që lufta të na shkojë mbarë dhe besoj se kemi forcë dhe moral që t’i dëbojmë hordhitë çetnike nga Sanxhaku i përgjakur”.
Një krah i forcave vullnetare erdhi nga Peja, Rugova. Në mesin e shumë burrave nga kjo anë ishte Mulla Zekë Bërdyna. Për mbrojtjen e Pazarit u zhvilluan shumë beteja. Mulla Zeka u shqua në mesin e vullnetarëve si një burrë trim, i dashur, i mençur, që dinte t’i motivonte gjithnjë luftëtarët në momentet e vështira, duke ua përkujtuar se për kombin duhet të luftohet, sepse këtë e thotë edhe Zoti. Sipas pazarakëve, një nga njësitë vullnetare që bëri luftë të pakompromistë, që u dallua për trimëri e strategji luftarake, ishte ajo e hoxhës së urtë e trim, Mulla Zekë Bërdynaj nga Radavci, i cili udhëhiqte 400-500 vullnetarë.
Por, sulmi çetnik vazhdoi edhe më 21 nëntor 1941, dukshëm me forca më të mëdha. Atëherë u dogjën të gjitha fshatrat myslimane nga Pozhega deri në Vuçeniq. Megjithatë, qyteti përsëri është mbrojtur me sukses. Bilanci i viktimave ka qenë: 42 çetnikë të vrarë, 26 mbrojtës të vdekur, të plagosur 45 njerëz. Çetnikët vranë 20 njerëz të pafuqishëm, gra dhe fëmijë....
Megjithatë sulmi çetnik nuk pushoi. Madje, sulmi vijues ishte më specifik. Me fjalë të tjera, çetnikët u shërbyen me mashtrim, duke i njoftuar gjermanët se Pazarin e Ri kinse e kishin në dorë partizanët-komunistët. Prandaj gjermanët u nisën më 4 dhjetor 1941, diku rreth orës 9,00 për ta sulmuar qytetin bashkë me çetnikët. Por, ndërkohë e kanë kuptuar se janë të mashtruar dhe janë kthyer në Rashkë. Së bashku me ta janë kthyer edhe njësitë çetnike.
Më 7 dhejtor të vitit 1941, kur gjermanët u kthyen në qytet, u pritën me entuziazëm nga serbët dhe boshnjakët. Ky fakt e ilustron situatën specifike dhe të komplikuar. Kthimi i tyre shënoi edhe fundin e konflikteve të përgjakshme, bilanci i të cilave ishte me humbje të mëdha: nga mesi i korrikut deri në fund të dhjetorit 1941 humbën jetën gjithsej 756 boshnjakë, serbë e shqiptarë. U dogjën 2.792 shtëpi. Më së shumti pësuan territoret e komunave të paraluftës: Pozhega, Tërnava, Rajetiqi, Dezheva, Postijenjë, Bijele Vode dhe Nikolaçë.
Por, edhe në momentet e rreziqeve më të mëdha erdhi në shprehje merhameti mysliman. Në qytet nuk ka pasur asnjë familje serbe, e cila nuk e ka pasur ndonjë kujdestar për sigurinë e tyre dhe rojtarë. Nganjëherë në këtë detyrë humanitare ishin të angazhuara familje të tëra. Këshilli për mbrojtjen e qytetit, në krye me Aqif Blytën, mori vendim që 420 serbë të qytetit të strehohen në ndërtesën e burgut të qarkut të Pazarit të Ri dhe në këtë mënyrë të jenë të mbrojtur dhe jeta e tyre të jetë e sigurt. Posaçërisht për realizimin e kësaj detyre u dallua Milicia Myslimane, në krye me komandantin Mulla Jakub Kombi nga Bisheva, i cili i erdhi në ndihmë kryeqytetit të Sanxhakut me qindra bashkëluftëtarë të armatosur nga krahina e Rozhajës dhe Bisheva. Ky aksion është realizuar më 6 dhe 7 nëntor dhe ka zgjatur deri më 7 dhjetor 1941......
Информация по комментариям в разработке